Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se pas qëndrimit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka votat e nevojshme për të vazhduar me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të vendit.
Hamza, pas fjalimit të tij në Kuvend, tha se PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin zgjedhor dhe se nga kjo parti nuk ka pengesë për krijimin e institucioneve.
Sipas tij, përgjegjësia tashmë është te Vetëvendosje dhe kryetari i saj, Albin Kurti.
“Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, numrat janë të qartë, i kanë numrat, i kanë votat”, deklaroi Hamza.
Ai tha se Kurti tash duhet të vendosë nëse do t’i krijojë institucionet apo do ta mbajë vendin në atë që e cilësoi si “vakuum institucional”, duke kërkuar rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues.
I pyetur për qëndrimin e PDK-së në rast të propozimit të një kandidati konsensual për president, Hamza tha se partia e tij do të vazhdojë ta luajë rolin e saj si subjekt opozitar, përmes kritikave, alternativave dhe mbështetjes për çështjet që janë në interes të Kosovës.
Hamza kritikoi gjithashtu Kurtin për mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit të institucioneve, duke e akuzuar për mosrespektim të rendit kushtetues, rregullores së Kuvendit dhe vendimeve të gjykatave.
“Zoti Kurti nuk do bashkëpunim, nuk do partneritet, do nënshtrim”, tha Hamza.






