Janevska: Ulen kuotat në universitete, tregu i punës nuk ka nevojë për më shumë juristë dhe ekonomistë

Advertisement

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se këtë vit janë reduktuar rreth 2.000 vende për regjistrim në vitin e parë në universitetet e Maqedonisë së Veriut, me qëllim përshtatjen e arsimit të lartë me nevojat reale të tregut të punës.

Sipas saj, ulja e kuotave ka prekur kryesisht drejtimet e administrimit të biznesit, administratës publike, si dhe disa programe në fakultetet juridike dhe ekonomike, ku numri i të papunëve mbetet i lartë. Në të kundërt, drejtimet teknike si informatika, makineria dhe ndërtimtaria kanë ruajtur pothuajse të njëjtat kuota për shkak të kërkesës së madhe në tregun e punës.

Janevska theksoi se punësueshmëria në këto profesione arrin deri në 98-99 për qind dhe shprehu bindjen se të gjithë maturantët do të kenë mundësi të regjistrohen në fakultetet që dëshirojnë.

Ajo u ndal edhe te tre ligjet për arsimin e lartë dhe shkencën, të cilat aktualisht janë të bllokuara në Kuvend, duke shprehur pritjen se deputetët do të arrijnë t’i tejkalojnë dallimet politike dhe t’i miratojnë ato sa më shpejt.

Ndërkohë, ministrja njoftoi se nga ky vit akademik do të vihen në funksion dy konvikte studentore tërësisht të rinovuara, “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski-Pitu”. Megjithatë, bashkë me përmirësimin e kushteve do të rritet edhe çmimi i akomodimit, ku në konviktin “Stiv Naumov” pagesa mujore do të arrijë në rreth 6.000 denarë.

Janevska bëri të ditur gjithashtu se shpërndarja e teksteve shkollore për vitin 2026/2027 është drejt përfundimit dhe nuk priten mungesa, ndërsa sa i përket regjistrimit të nxënësve të klasës së parë, ajo sqaroi se shifrat aktuale nuk janë përfundimtare dhe pritet të plotësohen deri në fund të shtatorit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit