Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka reaguar lidhur me projektin për ndërtimin e Stacionit të Pastrimit të Ujërave të Zeza dhe sistemit kolektor në Tetovë, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për Tetovën dhe rajonin e Pollogut.
Sipas Ministrisë, projekti paraqet realizimin e një premtimi shumëvjeçar dhe ka rëndësi të madhe për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Institucioni nënvizon se ndërtimi i stacionit mbetet një nga prioritetet kryesore si për Ministrinë ashtu edhe për Komunën e Tetovës.
Projekti po financohet në partneritet me Bashkimin Evropian përmes fondeve IPA, ndërsa procedurat e tenderimit zhvillohen nga Ministria e Financave, përkatësisht Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave (CFCD), me mbikëqyrje dhe miratim nga Delegacioni i BE-së.
Nga Ministria sqarojnë se thirrja publike është ndërkombëtare dhe është publikuar në platformat zyrtare përkatëse, duke theksuar se as Komuna e Tetovës dhe as Ministria e Mjedisit Jetësor nuk janë përgjegjëse për publikimin e rezultateve të tenderit.
Sipas njoftimit, më 16 prill 2026 është përzgjedhur operatori ekonomik, ndërsa procesi vijon me procedurat e parapara për ankesa dhe shqyrtimin e tyre.






