Predikuesi islamik nga Bosnje e Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet gjatë ditës nga Kosova, pasi një ditë më parë ishte shoqëruar nga Policia e Kosovës para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.
Kështu tha për Radion Evropa e Lirë (REL) një burim i informuar për organizimin dhe qëndrimin e Peziqit në Kosovë.
Sipas këtij burimi, deri më tani nuk ka informacione të tjera për arsyet e shoqërimit të Peziqit.
Policia e Kosovës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për konfirmim dhe informacione shtesë lidhur me rastin.
Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë i tha REL-it se BIK-u nuk kishte qenë në dijeni për ardhjen e Peziqit dhe aktivitetet e tij në Kosovë.
Sipas BIK-ut, Peziqi nuk kishte kërkuar leje apo pëlqim për aktivitetin, ndërsa institucioni nuk kishte ofruar mbështetje materiale apo logjistike për vizitën e tij.
BIK-u konfirmoi se ka pasur komunikim me Policinë e Kosovës lidhur me rastin.
“Policia e Kosovës na është drejtuar me shkresë dhe ne jemi përgjigjur”, tha Këshilli i BIK-ut në Pejë, pa dhënë detaje për përmbajtjen e komunikimit.
Këshilli i BIK-ut shtoi se çdo aktivitet fetar në objektet fetare apo në objekte të tjera duhet të ketë lejen ose pëlqimin e institucionit fetar.
Xhemati i një xhamie në Dobrushë kishte shpërndarë në rrjetet sociale njoftimin për aktivitetin e planifikuar të Peziqit.
Peziq u shoqërua të enjten për intervistim informues, para një aktiviteti ku ishte planifikuar të merrte pjesë në Vitomiricë.
Lajmin për REL-in e kishte konfirmuar Rexho Kojiq nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, e cila ishte organizatore e aktivitetit.
Kojiq kishte thënë se Peziq ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe se ai kishte hyrë rregullisht në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, me dokumente të Bosnje e Hercegovinës.






