Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave, të dyshuar si bashkëkryerës të veprës penale “shpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”. Sipas Prokurorisë, gjatë viteve 2023 dhe 2024, të akuzuarit kanë ndërmarrë veprime me të cilat i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 507.632.173 denarësh.
“Të akuzuarit, gjatë vitit 2023 dhe 2024, në mënyrë të përbashkët kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm personit juridik të dëmtuar – Shoqërisë Aksionare për organizimin e lojërave të fatit Lotaria Shtetërore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vlerë të konsiderueshme prej 507.632.173 denarësh”, njoftoi Prokuroria.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë vepruar për të mundësuar nisjen e një procedure për furnizimin me terminale videolotarie, ndonëse Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte lojëra elektronike të fatit në këtë mënyrë, pasi këtë të drejtë e kishte dhënë si kontribut jo-monetar gjatë themelimit të kompanisë “Shtetërore Videolotari – Casinos Austria”.
Prokuroria kërkon paraburgim për të akuzuarin e parë, i cili prej gati një viti është në arrati dhe i paarritshëm për organet e ndjekjes. Për të akuzuarin e dytë kërkohet vazhdimi i masës së arrestit shtëpiak, ndërsa për gjashtë të tjerët janë propozuar masa kujdesi.
I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm dhe kryetari i Bordit Drejtues të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i dyti i akuzuar, ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili është në arrest shtëpiak, i treti i akuzuar, Metodija Dimovski.






