Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se Kosova ka argumente të fuqishme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në BE.
Zulfaj ka marrë pjesë në panelin “Integrimi në Bashkimin Evropian dhe Mekanizmat Rajonalë”, në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve, ku ka diskutuar me udhëheqësit e misioneve diplomatike të Kosovës për procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, Kosova është një demokraci dinamike, me ekonomi në rritje dhe me përafrim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e misioneve diplomatike të Kosovës në promovimin e argumenteve të vendit tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Gjatë diskutimit janë trajtuar edhe reformat që lidhen me procesin e integrimit, zhvillimet brenda BE-së dhe vendeve anëtare, si dhe mënyrat se si diplomacia kosovare mund të kontribuojë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Sipas Zulfajt, përparimi i Kosovës drejt BE-së do të kontribuonte në forcimin e institucioneve demokratike, si dhe në paqen dhe sigurinë në rajon.






