I dënuari nga grupi i Kondovës nuk kthehet në burg, dyshohet se është arratisur

Advertisement

Besim Krasniqi, një nga personat e lidhur me grupin e Kondovës, dyshohet se është arratisur pasi nuk është paraqitur në burgun e Idrizovës, edhe pse gjykata kishte vendosur që të rikthehej për të vazhduar vuajtjen e dënimit.

Krasniqit i ishte ndërprerë përkohësisht vuajtja e dënimit për shkak të problemeve shëndetësore, por pas përfundimit të periudhës së lejuar ai nuk është kthyer në burg. Institucionet dyshojnë se ndodhet në arrati.

Ai ishte ekstraduar nga Kosova në Maqedoninë e Veriut në maj të vitit 2024, pasi ndaj tij kishte urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup. Krasniqi kërkohej për vuajtjen e dënimit për vepra penale që përfshijnë grabitje, krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe përgatitje për kryerjen e veprës penale terrorizëm.

Besim Krasniqi është vëllai i Agim Krasniqit, një prej personave të njohur si pjesë e grupit të Kondovës. Agim Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të grupit janë dënuar për terrorizëm, përkatësisht për planifikimin e sulmit në Shkup, si dhe për parregullsi gjatë zgjedhjeve parlamentare.

Agim Krasniqi ishte arrestuar në vitin 2008 së bashku me grupin e tij prej shtatë anëtarësh. Në vitin 2020, ai dhe anëtari tjetër i grupit, Sehat Ramadani, ishin arratisur pasi nuk ishin kthyer në burgun e Shtipit pas një vikendi të lejuar, ndonëse kishin ende disa vite dënim për të vuajtur.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit