Kasami: Marrëveshja e Ohrit, bazë për më shumë decentralizim, zhvillim dhe kohezion shoqëror

Advertisement

 

Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në panelin kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, tha se decentralizimi mbetet një nga proceset që ende nuk e ka arritur plotësisht qëllimin e paraparë.

Duke folur për decentralizimin dhe zhvillimin lokal si shtylla të demokracisë dhe kohezionit shoqëror, Kasami tha se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë për një vlerësim të sinqertë të asaj që është realizuar, asaj ku ka ngecje dhe hapave që duhet të ndërmerren.

“Gjatë këtyre 25 viteve është bërë përparim. Komunat kanë marrë më shumë përgjegjësi dhe qytetarët kanë fituar mundësi më të madhe për të ndikuar në çështjet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre. Por duhet ta themi hapur se decentralizimi nuk e ka arritur ende plotësisht qëllimin për të cilin ishte paraparë”, deklaroi Kasami.

Sipas tij, një nga problemet kryesore është mospërputhja mes kompetencave që u janë transferuar komunave dhe mjeteve financiare në dispozicion.

“Në shumë raste kemi pasur transferim të kompetencave, por jo edhe transferim të mjeteve të mjaftueshme financiare. Komunave u kërkohet të mirëmbajnë shkolla, infrastrukturë dhe shërbime publike, ndërsa financimi shpesh nuk përputhet me përgjegjësitë që u janë dhënë”, tha Kasami.

Ai vlerësoi se decentralizimi fiskal ka mbetur pas decentralizimit administrativ, duke theksuar se varësia e madhe nga transfertat e pushtetit qendror kufizon autonominë e komunave dhe krijon pabarazi mes tyre.

Kasami foli edhe për zhvillimin e balancuar rajonal, duke thënë se dallimet mes rajoneve vazhdojnë të jenë të mëdha dhe se shpërndarja e investimeve nuk është gjithmonë e bazuar në nevojat reale dhe kritere të qarta.

Kryetari i Tetovës kërkoi që faza e ardhshme e decentralizimit të përfshijë më shumë të hyra vetanake për komunat, shpërndarje më të drejtë të mjeteve, rritje të kapaciteteve profesionale dhe kompetenca reale.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të demokracisë lokale, transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

“Qytetari e ndien shtetin fillimisht në sportelin e komunës, në shkollën e fëmijës dhe në rrugën para shtëpisë së tij. Kur vendimmarrja është më afër qytetarit, rritet mundësia për mbikëqyrje, llogaridhënie dhe pjesëmarrje”, tha Kasami.

Duke folur për Tetovën si komunë multietnike, Kasami tha se bashkëjetesa nuk mund të mbështetet vetëm në formulime juridike, por duhet të forcohet përmes qasjes së barabartë në shërbime, arsim, kulturë, infrastrukturë dhe vendimmarrje.

Ai paralajmëroi se zhvillimi i pabarabartë mund të thellojë dallimet ekonomike dhe të prodhojë pasoja sociale e politike.

“Zhvillimi i balancuar rajonal nuk është vetëm politikë ekonomike. Është edhe politikë e barazisë, stabilitetit dhe besimit ndërmjet qytetarëve”, theksoi Kasami.

Në fund, ai kërkoi një partneritet të ri ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal, me kompetenca të qarta, financim të drejtë, konsultim dhe përgjegjësi të matshme.

“Komunat janë të gatshme të marrin më shumë përgjegjësi. Por përgjegjësia duhet të shoqërohet me mjete, kapacitete dhe autonomi reale. Vetëm atëherë Marrëveshja Kornizë e Ohrit do të vazhdojë të jetojë jo vetëm si dokument historik, por si parim i dukshëm në demokracinë tonë të përditshme”, përfundoi Kasami.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit