Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, lidhur me komentet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Gjuriç kundërshtoi përfshirjen e Shqipërisë në këtë çështje, duke argumentuar se lumi Ibër nuk kalon në territorin shqiptar.
“Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri. Për këtë arsye, Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në mënyrën se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj”, shkroi Gjuriç.
Ai e cilësoi reagimin e Tiranës si politikisht të motivuar dhe theksoi se Serbia, siç u shpreh, do të vendosë vetë për mënyrën e menaxhimit të burimeve të saj natyrore.
Gjuriç u shpreh gjithashtu kundër ideve për ndryshimin e kufijve mbi baza etnike, duke thënë se rajoni ka nevojë për bashkëpunim, lëvizje të lirë dhe respektim të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve.
Në reagimin e tij, ministri serb iu referua edhe marrëdhënieve mes Beogradit dhe Tiranës, duke bërë thirrje që dallimet të trajtohen përmes dialogut dhe jo përmes deklaratave publike.
“Do të ishte më e mençur të ulim retorikën dhe të kthehemi te e vetmja rrugë që mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për rajonin tonë: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, barazinë sovrane dhe bashkëpunimin e sinqertë”, deklaroi Gjuriç.
Reagimi i tij erdhi pasi ministri Ferit Hoxha kishte shprehur shqetësimin e Shqipërisë për deklaratat e Vuçiqit lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.
Gjuriç e lidhi gjithashtu çështjen me situatën e komunitetit serb në Kosovë, duke kërkuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ministri Hoxha, siç tha ai, që të mbështesin të drejtat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.
Në fund, Gjuriç u bëri thirrje Tiranës dhe Beogradit që të fokusohen më shumë në dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, në vend të shkëmbimit të deklaratave publike.






