Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë njoftoi se deri në orën 16:00 janë evidentuar disa vatra zjarri, ndërsa aktualisht tetë prej tyre mbeten aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër.
Për përballimin e situatës janë angazhuar gjithsej 165 forca operacionale, përfshirë 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacione janë zhvilluar edhe shtatë misione ajrore me helikopterë dhe dy misione me avionë “Air Tractor”.
Në zonën e Dajtit, në Tiranë, zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore me pisha, mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren po veprojnë 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, me mbështetjen e një helikopteri të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarrit edhe në Priskë të Madhe. Sipas Ministrisë, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie të bashkisë Patos, një zjarr i cili ishte vënë nën kontroll është riaktivizuar në pjesën e brendshme të pyllit. Ndërhyrja po mbështetet nga dy avionë “Air Tractor”, ndërsa situata raportohet në përmirësim.
Në Krujë vijojnë operacionet në dy vatra. Në lagjen Abaze, zjarri është përhapur i ndihmuar nga era, por nuk raportohet rrezik për banesat. Në zonën Krastë–Halil, situata ishte përkeqësuar gjatë mëngjesit dhe kishte rritur rrezikun për zonat e banuara. Ndërhyrja me dy helikopterë ka ndihmuar në stabilizimin e situatës, ndërsa ekipet në terren vazhdojnë punën për shuarjen e plotë.
Operacionet vijojnë edhe në malin e Nëmerçkës, në bashkinë Përmet, ku zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Një vatër e re është evidentuar në malin Dhëmbel, mbi fshatin Badilonjë, ku ekipet e MZSH-së po punojnë për shuarjen e saj.
Në Gurë-Lurë të bashkisë Dibër është evidentuar gjithashtu një zjarr në një zonë me pyll pishe dhe kullotë. Forcat në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Autoritetet e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me fokus te vatrat që paraqesin rrezik për përhapje dhe ato pranë zonave të banuara.






