Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka deklaruar se seanca e radhës konstituive do të thirret vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës institucionale.
Dehari tha se mbajtja e seancave njëra pas tjetrës, pa prodhuar rezultat konkret, nuk do t’i shërbente zgjidhjes së situatës. Sipas tij, qytetarët presin zgjidhje dhe jo thjesht zhvillimin e seancave.
“Seanca e radhës do të thirret sapo të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës. Pa një marrëveshje nuk ka kuptim të mbahet seanca vetëm për formalitet”, deklaroi Dehari.
Ai iu referua edhe seancave të mbajtura më 28 dhjetor, duke theksuar se zhvillimi i tyre në numër të madh nuk solli rezultat.
“Çfarë kuptimi do të kishte tash, për shembull, të mbajmë seanca njëra pas tjetrës dhe prapë të mos ketë rezultate? Qytetarët janë të interesuar për zgjidhje, jo për të parë se sa seanca po mbahen”, tha ai.
Dehari u shpreh se zgjidhja, sipas tij, mund të arrihet përmes një marrëveshjeje politike, pas së cilës do të mund të zgjidheshin edhe institucionet e tjera.
“Qëllimi është të bëhet zgjidhja, jo vetëm të mbahen seanca për pamje”, përfundoi Dehari.






