Rasti për dhënien e pretenduar selektive dhe të kundërligjshme të lejeve për posedim të armëve, për të cilin ministri i Punëve të Brendshme , Pançe Toshkovski, fliste zëshëm në paraqitjet e tij televizive sapo e mori këtë post, mori epilog juridik, transmeton Portalb.mk nga Slloboden Peçat.
Edhe pse 15 zyrtarë policorë u pushuan nga puna, ndërsa ministri fliste për keqpërdorime të mëdha, gjegjësisht se u janë dhënë leje për posedim të armëve personave që nuk kanë pasur të drejtë ligjore për këtë gjë, Prokuroria e hodhi poshtë kallëzimin penal të ngritur pikërisht nga MPB-ja.
“Prokurori publik nga Njësia e Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve pranë Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit veproi pas kallëzimit penal të parashtruar dhe i siguroi të gjitha provat e nevojshme, me ç’rast solli aktvendim për hedhjen poshtë të kallëzimit penal. Duke e pasur parasysh gjendjen faktike të vërtetuar, provat e grumbulluara dhe kornizën ligjore në fuqi, prokurori publik vlerësoi se veprimet e të denoncuarve nuk përmbajnë elemente të veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe nuk ekzistojnë baza ligjore për inicimin e procedurës penale, prandaj është sjellë aktvendimi për hedhjen poshtë të kallëzimit penal”, thonë nga Prokuroria.






