Spitali Klinik i Manastirit me mbi 30 milionë denarë investime në pajisje të reja mjekësore

Advertisement

Spitali Klinik i Manastirit po kalon një fazë të re investimesh dhe modernizimi të kapaciteteve shëndetësore. Në periudhën 2024–2026 janë siguruar pajisje moderne mjekësore në vlerë prej mbi 30,4 milionë denarësh, me të cilat zëvendësohen aparatura të vjetra mbi 20-vjeçare, për të cilat nuk kishte më mundësi servisimi dhe mbështetje teknike, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Nga Ministria bëjnë të ditur se një ndër investimet më të rëndësishme është zëvendësimi i digestorit në Departamentin e Patologjisë, pajisje e cila ishte në përdorim rreth 55 vjet, që nga themelimi i spitalit.

Në kuadër të procesit të modernizimit janë blerë:
• borr elektrik ortopedik,
• aparat për operacione të kataraktës me metodën fako,
• aparat eko për Departamentin e Oftalmologjisë,
• set për rezeksion monopolar për Urologjinë,
• kolonoskop dhe gastroskop të rinj për Departamentin e Sëmundjeve të Brendshme.

Spitali gjithashtu është pajisur me aparat për tomografi koherente optike (OCT), aparat të ri DEXA për mjekësinë fizikale dhe rehabilitim, si dhe robot dhe zgjidhje moderne softuerike të integruara me sistemin PACS. Sipas Ministrisë, këto investime do të rrisin ndjeshëm kapacitetet diagnostike dhe operative në disa reparte të spitalit.

Ndërkohë, ka nisur edhe procedura për furnizimin me pajisje për biopsi të prostatës me udhëheqje eko. Kjo metodë moderne diagnostike do të aplikohet për herë të parë në Spitalin Klinik të Manastirit, duke u mundësuar pacientëve nga Manastiri dhe rajoni përreth diagnostikim më të shpejtë, më të saktë dhe më të qasshëm në institucionin e tyre shëndetësor.

Përveç investimeve në pajisje mjekësore, nga korriku i vitit 2024 e deri më sot, në spital janë realizuar edhe 61 punësime të reja me kontratë të pacaktuar.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit