Andovski: Kërçova do të bëhet me spital të ri, investim prej 22.5 milionë euro

Advertisement

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski, së bashku me kryetarin e Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, drejtoreshën e Spitalit të Përgjithshëm të Kërçovës, Maja Cvetanovska Trajkovska, si dhe përfaqësues të Bankës Botërore, zhvilluan një vizitë në spitalin e qytetit, ku u prezantua koncepti për ndërtimin e një objekti të ri spitalor.

Sipas planit, vlera e investimit arrin në rreth 1,38 miliardë denarë, ose afërsisht 22,5 milionë euro.

Andovski theksoi se Kërçova ka pritur për shumë vite një zgjidhje të denjë për infrastrukturën shëndetësore.

“Për dekada me radhë qytetarët e Kërçovës janë përballur me kushte të papërshtatshme në spital. Tani është momenti që këtij problemi t’i jepet një zgjidhje moderne dhe afatgjatë. Synimi ynë është që qytetarët të marrin shërbime cilësore shëndetësore në vendbanimin e tyre, ndërsa personeli mjekësor të punojë në kushte bashkëkohore”, deklaroi ai.

Objekti i ri spitalor do të ndërtohet sipas standardeve moderne dhe do të përfshijë repartet për diagnostikim, trajtim spitalor dhe shërbime urgjente, si dhe sisteme moderne për gazra mjekësorë dhe efikasitet energjetik.

Me ndërtimin e spitalit të ri pritet të përmirësohet ndjeshëm qasja në shërbimet shëndetësore për banorët e Kërçovës dhe zonave përreth, duke zvogëluar nevojën që pacientët të kërkojnë trajtim në Shkup, Ohër apo Manastir.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se ky projekt synon të zgjidhë përfundimisht problemet shumëvjeçare me infrastrukturën spitalore dhe të krijojë kushte më të mira për ofrimin e kujdesit shëndetësor në të gjithë rajonin.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit