Dokument: Hotel Izgrev – Kalishtë përdor ujë nga Liqeni i Ohrit pa leje dhe në kundërshtim me disa ligje!
Hotel Izgrev në Kalishtë, pjesën më të madhe të ujit për pije dhe higjienë e përdor nga Liqeni i Ohrit, pa leje nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe në Kundërshtim me këto ligje: Ligjin për Ujërat; Ligji për Mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, Prespës dhe Dojranit dhe Ligjin për Veprimtaritë Komunale! Sipas dokumenteve të siguruara, Hoteli ka disa orë nga Ujësjellësi i Strugës, por që furnizimi nga to është tepër i vogël.
Mefail Ismaili, gazetar
Në redaksinë tonë, kanë arritur informata të shumta dhe dokumenteve se Hotel “Izgrev” në Kalishtë, po përdor ujë nga Liqeni i Ohrit, si për pije ashtu edhe për përdorim teknik, por në mënyrë joligjore.
Ora24.tv, nga burime të saj, ka arritur të sigurojë një dokument, më konkretisht një Parashtresë të N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi në Strugë në të cilën potencohet qartë se në inspektimin e kryer më datë 14.05.2026, në ora 11:00 nga personat e autorizuar të N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë u konstatua kjo gjendje faktike dhe atë:
“1. …Ekipet inspektuese të N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë konstatuan pa mëdyshje se kompleksi hotelier “Hotel Izgrev” furnizohet me ujë drejtpërdrejt nga Liqeni i Ohrit. U konstatua ekzistenca e një instalimi (stacion pompash dhe tubacioni), i cili mundëson nxjerrjen e ujit sipërfaqësor nga liqeni. 2. Përdorimi i ujit: U konstatua se uji i marrë nga Liqeni i Ohrit përdoret si për nevoja teknike (ujitje, mirëmbajtje etj.), ashtu edhe për furnizimin me ujë të pijshëm brenda objektit hotelier. 3. Mungesa e një lejeje të vlefshme: Lidhur me të drejtën për shfrytëzimin e ujit nga Liqeni i Ohrit, i referohemi shkresës së Inspektorit Shtetëror të Mjedisit Jetësor, të dorëzuar N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë më 26.05.2026 (“Njoftim nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor”). Në këtë shkresë thuhet qartë se subjekti juridik “Hotel Izgrev” ka filluar procedurën për marrjen e lejes për shfrytëzimin e ujit, por nuk posedon leje të vlefshme dhe të formës së prerë për përdorimin e ujit nga Liqeni i Ohrit, qoftë për nevoja teknike, qoftë si ujë për pije”, thuhet mes tjerash në Parashtresën e N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë.
(DOKUMENT I N.P. UJËSJELLLËSI DHE KANALIZIMI – STRUGË)
Në këtë dokument po ashtu theksohet se sipas analizës Ligjore, Hotel Izgrev – Kalishtë, po e përdor ujin e Liqenit të Ohrit në Kundërshtim të drejtpërdrejtë me tre ligje dhe atë:
- Ligji për Ujërat dhe nenet e saj: 23, 26, 28, dhe neni 12, paragrafi (2)
- Ligji për Mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, Prespës dhe Dojranit: Neni 1 dhe Neni 8
- Ligji për Veprimtaritë Komunale: Neni 16, paragrafi (1)
(DOKUMENT I N.P. UJËSJELLLËSI DHE KANALIZIMI – STRUGË)
Sipas parashtresës së lartë përmendur, përdorimi i paligjshëm i ujit nga Liqeni i Ohrit pa lejen përkatëse sjell pasoja serioze juridike dhe i nënshtrohet mbikëqyrjes inspektuese dhe sanksioneve. Andaj Hotel Izgrev – Kalishtë i është dhënë urdhër veprimi që:
Të ndërpresë menjëherë marrjen dhe përdorimin e paautorizuar të ujit nga Liqeni i Ohrit për çfarëdo nevoje.
Brenda 5 (pesë) ditëve nga pranimi i kësaj parashtrese, të paraqesë kërkesë pranë N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë për kyçjen e objektit në sistemin publik të furnizimit me ujë dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për realizimin e kyçjes.
(DOKUMENT I N.P. UJËSJELLLËSI DHE KANALIZIMI – STRUGË)
Edhe dokumentet e siguruara nga kontrollet e bëra nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit jetësor, tregojnë që Hotel Izgrev përdor ujë nga Liqeni i Ohrit, por pa pasur leje.
“Një pjesë të ujit e përdorin nga NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Strugë, për çka janë bashkëngjitur faturat e N.P. “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Strugë të datës 15.05.2026, për muajin 04/2026, si vijon:
* Fatura nr. 23179000 – 13.471,00 denarë
* Fatura nr. 23179001 – 38.338,00 denarë
* Fatura nr. 23178996 – 90,00 denarë
* Fatura nr. 23178997 – 90,00 denarë
Ndërsa një pjesë të ujit e përdorin nga një pus”, thuhet në dokumentin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit jetësor,.
(DOKUMENT I INSPEKTORATIT SHTETËROR I MJEDISIT JETËSOR)
Të pyetur drejtpërdrejtë për lejen, nga Ministra e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor u përgjigjën:
“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, pas shqyrtimit të dokumentacionit arkivor, konstatoi se për subjektin në fjalë nuk është lëshuar leje për shfrytëzimin e ujit nga Liqeni i Ohrit, si dhe nuk evidentohet asnjë leje e lëshuar për marrjen dhe shfrytëzimin e ujit. Njëkohësisht, Ministria thekson se konstatimi i përdorimit të mundshëm të ujit pa lejen përkatëse, si dhe ndërmarrja e veprimeve në rast të konstatimit të parregullsive, është në kompetencë të organeve inspektuese, të cilat veprojnë në përputhje me kompetencat e tyre ligjore dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MMJPH-së.
Ora 24.tv kërkoi zyrtarisht nga N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Strugë nëse Hotel Izgrev – Kalishtë përdor ujë nga Liqeni, bunarë privat ose nga Ndërmarrja. Morëm këtë përgjigje:
“ Nga kontrolli i kryer nga ana jonë në Hotelin Izgrev është konstatuar se nga pesë matësit ekzistues të ujit, për të cilët ekziston kod përdoruesi në ndërmarrjen tonë, vetëm njëri është në funksion – ai që furnizon banakun e jashtëm. Në të gjitha pikat e tjera, përkatësisht përmes matësve të tjerë, nuk përdoret ujë nga rrjeti i N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi.
Në pyetjen tonë se përse nuk përdoret uji nga rrjeti publik, personat përgjegjës të hotelit u përgjigjën, citojmë:
‘Ne kemi mënyrat tona të furnizimit me ujë (puse dhe ujë nga liqeni)’.
Pas këtij konstatimi, ne iu drejtuam institucioneve kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme lidhur me situatën e evidentuar, me qëllim që të veprohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe rregulloret për përdorimin e ujit të pijshëm.
Apelojmë tek institucionet kompetente që sa më shpejt të veprojnë sipas njoftimit tonë, pasi kjo gjendje mund të rrezikojë shëndetin dhe jetën e mysafirëve dhe punonjësve të Hotelit Izgrev në Kalishtë”, thuhet në përgjigjen e N.P. Ujësjellësi dhe Kanalizimi Strugë.
Ora 24.tv kërkoi përgjigje edhe nga Hotel Izgrev – Kalishtë. Nuk arritëm që të kontaktojmë me drejtuesit. Pa e kuptuar arsyen se pse, ata na lëshuan për kontakt një avokat, i cili u prezantua si avokat i kompanisë i cili na udhëzoi tu dërgojmë pyetje me shkrim. Por edhe në përgjigjet me shkrim edhe në telefon, na tërhoqi vëmendjen se “do të përpiqen në mënyrë juridike të mbrojnë imazhin e Hotelit në fjalë”! Në pyetjet nëse Hoteli përdor ujë nga Liqeni ose bunarë privat, a kanë bërë analizia të rregullta të ujit që e përdorin? Nga Hotel Izgrev – Kalishtë u përgjigjën:
“Nuk është i saktë pretendimi se Hoteli “Izgrev” – Kalishtë furnizohet me ujë nga Liqeni i Ohrit. Hoteli është i kyçur në rrjetin publik të ujësjellësit dhe disponon me disa kyçje të ujëmatësve, përmes të cilëve realizohet furnizimi me ujë. Pavarësisht kësaj, hoteli rregullisht kryen analiza laboratorike për cilësinë dhe sigurinë shëndetësore të ujit që përdoret në hotel, përmes një laboratori të autorizuar. Rezultatet e analizave konfirmojnë vazhdimisht se uji i përdorur në hotel është i sigurt dhe i përshtatshëm për përdorim, në përputhje me standardet në fuqi”.
Pasi kërkuam që të na dërgojë dëshmi për analizat e bëra, nga Hotel Izgrev – Kalishtë u përgjigjën:
“…Hoteli “Izgrev” – Kalishtë mbetet në qëndrimin e shprehur më parë se nuk përdor ujë nga Liqeni i Ohrit për furnizimin e tij me ujë.
Sa i përket cilësisë së ujit, theksojmë se hoteli kryen në mënyrë të vazhdueshme analiza laboratorike përmes një laboratori të autorizuar, ndërsa rregullisht konfirmohet siguria shëndetësore e ujit përmes analizave përkatëse. Përkushtimi i hotelit ndaj sigurisë së mysafirëve dhe punonjësve të tij nuk reflektohet vetëm në përmbushjen e detyrimeve ligjore, por edhe në zbatimin e standardeve të veta të kujdesit… Njëkohësisht, hoteli do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe interesave të tij, si dhe për të konstatuar çdo parregullsi të mundshme që lidhet me zbulimin, shpërndarjen dhe përdorimin e informacioneve që nuk janë të qasshme për publikun”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Hotel Izgrev – Kalishtë.
Ora24.tv kërkoi informacion edhe nga Instituti i Shëndetit Publik në Ohër, nëse ka pasur kërkesa nga Hotel Izgrevi për analiza të bëra eventuale, por ende nuk kemi marrë përgjigje./Ora24.tv






