Liqeni i Mavrovës po përgatitet për një nga ngjarjet më të mëdha sportive në fushën e peshkimit sportiv. Në prag të Kampionatit Botëror në peshkimin e krapit, Parku Kombëtar “Mavrova”, në bashkëpunim me kompaninë donatore EDS Energy Delivery Solution, ka realizuar një aksion të ri për pasurimin e fondit të peshkut, duke hedhur në liqen 460 kilogramë krap. Nga Parku Kombëtar “Mavrova” bëjnë të ditur se ky aktivitet synon rritjen dhe ruajtjen e fondit të peshkut në liqen, si dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
“Ky aktivitet përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen dhe shtimin e fondit të peshkut, duke garantuar një menaxhim më të qëndrueshëm të ekosistemit të liqenit”, thuhet në njoftimin e Parkut Kombëtar.
Sipas autoriteteve, shumimi i peshkut është realizuar enkas në prag të Kampionatit Botëror të Peshkimit Sportiv të Krapit, i cili do të zhvillohet në shtator në Liqenin e Mavrovës. Ky aktivitet synon jo vetëm të krijojë kushte optimale për garën, por edhe të promovojë peshkimin sportiv dhe potencialet turistike të këtij destinacioni.
Në këtë kuadër, Parku Kombëtar rikujton se mbetet në fuqi ndalesa për peshkimin e krapit deri në përfundimin e kampionatit, ndërsa u bën thirrje të gjithë peshkatarëve sportivë që të respektojnë masat dhe rregullat e vendosura. Për të parandaluar peshkimin e paligjshëm, drejtoria ka intensifikuar kontrollet në terren, duke angazhuar ekipe të posaçme për monitorimin e liqenit dhe mbrojtjen e fondit të peshkut.
Ndërkohë, organizatorët bëjnë të ditur se deri më tani janë regjistruar garues nga 39 shtete, çka e rendit këtë kampionat ndër ngjarjet më të mëdha sportive të këtij lloji në rajon. Sipas tyre, organizimi i këtij eventi do të kontribuojë ndjeshëm në promovimin ndërkombëtar të Liqenit të Mavrovës si një destinacion i rëndësishëm për peshkimin sportiv dhe turizmin natyror. (koha.mk)





