HARAÇINË – Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, ka njoftuar se kanë nisur punimet për ndërtimin e Qendrës Sportive, një projekt që, sipas tij, ka qenë ndër kërkesat më të mëdha të sportdashësve, të rinisë dhe banorëve të komunës.
Përmes një postimi në Facebook, Beqiri bëri të ditur se faza e parë e projektit ka nisur me ndërtimin e stadiumit stërvitor, ndërsa në vazhdim do të ndërtohet edhe stadiumi për zhvillimin e ndeshjeve, duke krijuar një hapësirë moderne dhe funksionale për sportin në Haraçinë.
“Sot nuk po flasim vetëm për një projekt, por po bëjmë realitet një ëndërr të shumëpritur të të gjithë haraçinasve,” ka shkruar Beqiri.
Ai theksoi se ky investim do të krijojë kushte më të mira për sportistët dhe të rinjtë, duke shtuar se Haraçina meriton infrastrukturë sportive moderne dhe cilësore.






