Jalë, 12 korrik Zhurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se edhe nëse Shqipëria bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, nuk do ta përdorë të drejtën e vetos kundër Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian.
Deklaratën ai e bëri para pjesëmarrësve të kampit “RinCamp 2026”, që po mbahet në destinacionin turistik Jalë, ku marrin pjesë edhe të rinj nga Maqedonia e Veriut.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një studenti nga Shkupi nëse Shqipëria do të vendoste veto ndaj rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut, Rama theksoi se ka qenë gjithmonë kundër përdorimit të vetos në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas tij, vetoja është një mekanizëm që pengon integrimin evropian dhe nuk i shërben askujt, duke shtuar se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në bashkëpunim dhe mbështetje reciproke mes vendeve aspirante dhe anëtare të BE-së. përcjell Zhurnal.mk .





