Ministrja e Kulturës dhe e Turizmit, Saranda Bogujevci, ka vizituar Panairin e Librit Shqip “Presheva 2026”, i cili këtë vit u organizua me moton “Libri dhe Tradita”.
Gjatë vizitës në Preshevë, Bogujevci u njoh me aktivitetet e panairit, ku ishin të pranishëm botues, autorë dhe lexues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, duke prezantuar krijimtarinë letrare dhe botimet më të reja.
Ajo vlerësoi rolin e librit në ruajtjen e kujtesës kulturore dhe në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve përmes gjuhës, letërsisë dhe traditës.
“Libri është urë që na afron, ruan kujtesën tonë kulturore dhe forcon lidhjet tona përmes gjuhës dhe traditës”, u shpreh Bogujevci.
Gjatë qëndrimit në Preshevë, ministrja vizitoi edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, ku u prit nga kryetari Enkel Rexhepi. Ajo u informua për punën dhe angazhimin e këtij institucioni në ruajtjen dhe promovimin e kulturës, identitetit dhe traditave shqiptare.
Panairi i Librit “Presheva 2026” synon të shërbejë si një hapësirë takimi për autorë, botues dhe lexues, duke promovuar vlerat e letërsisë shqipe dhe rolin e librit në jetën kulturore të komunitetit./KultPlus.com





