Unë nuk kam çfarë të shtoj më shumë nga ajo që thanë folësit e mëparshëm, si kryetari i komunës ashtu edhe ministrja, lidhur me këtë projekt, por edhe në përgjithësi për projektet në Komunën e Manastirit. Mund të them vetëm se do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar në realizimin e projekteve, gjë që për ne mbetet një nga prioritetet më të larta.
Për fat të keq, gjatë dekadave të kaluara janë bërë shumë lëshime dhe, fatkeqësisht, nuk i kemi të gjitha resurset në botë për t’i korrigjuar të gjitha ato mangësi. Megjithatë, përpiqemi të punojmë sipas prioriteteve, duke i zgjidhur problemet një nga një, pa krijuar probleme të reja. Siç thuhet, të punojmë, ta lëmë zemrën në fushë. Kush punon, ndonjëherë edhe gabon. Prandaj dua që paraprakisht të kërkoj falje për ndonjë gabim që mund të ndodhë gjatë punës. Nuk gabon vetëm ai që nuk punon asgjë.
Në politikë ka edhe nga ata që janë mësuar vetëm të shikojnë nga anash dhe të komentojnë, në vend që t’i përveshin mëngët dhe të bëjnë diçka për qytetarët. Por ata gjithmonë do të mbeten në margjinat e skenës politike dhe pjesë e spektaklit, ndërsa ne, që i kemi përveshur mëngët dhe kemi hyrë në zgjidhjen e problemeve, do të vazhdojmë të punojmë, dhe paraprakisht edhe një herë kërkoj falje nëse gjatë këtij procesi pune ndodh ndonjë gabim, ai nuk do të jetë i qëllimshëm. Do të përpiqemi që gabime të tilla të ketë sa më pak dhe, ato që do të ndodhin, t’i korrigjojmë.
I uroj suksese kryetarit të komunës, Komunës, si dhe shpreh mirënjohje për këshilltarët që mbështesin punën e kryetarit, administratën e Komunës së Manastirit, deputetët që vijnë nga Manastiri dhe që angazhohen për të siguruar sa më shumë projekte dhe investime këtu në Manastir, ministres dhe kolegëve të mi në Qeveri, të cilët kanë një qëllim të përbashkët, dhe ai është të përshpejtojmë zhvillimin dhe ta bëjmë Maqedoninë një vend më të mirë për të jetuar.
Në emër të Qeverisë, si Kryeministër, mund të them se Manastiri është një nga prioritetet tona kryesore dhe do të vazhdojë të mbetet një nga prioritetet kryesore.
Disa nga projektet u përmendën nga folësit e mëparshëm, por këtu dua të theksoj veçanërisht autostradën që po ndërtohet me ritëm të përshpejtuar, e cila do të lidhë Manastirin me Prilepin. Po ashtu, po shqyrtohet seriozisht dhe pres që shumë shpejt të fillojmë edhe realizimin e një zgjidhjeje tjetër, që është lidhja ekspres e Manastirit me pikën kufitare Mexhitli, e cila do të përshpejtojë ndjeshëm qarkullimin dhe do të lehtësojë trafikun e rënduar në qytet.
Prandaj, edhe një herë, falënderoj të gjithë ata që realizojnë projekte, dhe e përsëris se kërkoj falje paraprakisht për ndonjë gabim që mund të jetë bërë, ai nuk ka qenë i qëllimshëm dhe do të përpiqemi që në të ardhmen gabime të tilla të jenë sa më të rralla.
Nuk gabon vetëm ai, që nuk punon asgjë.





