Përfundon procedura tenderuese për 150 autobusë, priten rezultatet e vlerësimit të ofertave

Advertisement

Shkup, 8 korrik – Ka përfunduar procedura tenderuese për furnizimin me 150 autobusë. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve informojnë se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i vlerësimit të ofertave të dorëzuara.

Nga ministria nuk japin detaje se cilat kompani kanë aplikuar dhe sa janë ato në numër, por bëjnë të ditur se informacioni përfundimtar do të publikohet në periudhën e ardhshme.

Derisa pritet të shihet nëse autobusët më në fund do të arrijnë në Shkup, ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, së bashku me drejtorin e NP “Hekurudhat – Infrastrukturë”, Siniša Ivanovski, vizituan segmentin e rikonstruktuar të hekurudhës nga Draçeva deri në Ilinden, nëpër të cilin qarkullojnë trenat e mallrave.

Nikollovski njoftoi se për rreth 20 ditë trenat e mallrave do të përdorin plotësisht këtë pjesë të rinovuar, gjë që sipas tij do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në një transport më efikas hekurudhor të mallrave në Korridorin 10.

Ai paralajmëroi gjithashtu se deri më së voni më 1 shtator duhet të vihet në funksion edhe linja e parë e trenit urban të qytetit, e cila do të qarkullojë në relacionin nga Zelenikova, përmes Draçevës, deri në qendër të Shkupit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke folur për tenderin e tretë për furnizimin me 150 autobusë, në një intervistë televizive nuk dha informacione konkrete, por deklaroi se autobusët e parë pritet të arrijnë deri në fund të vitit 2026.

Më herët, tenderi për 150 autobusë elektrikë dhe 75 karikues, me vlerë prej 51 milionë eurosh, projekt i cili synonte të zgjidhte problemin kronik të transportit publik në Shkup, ishte anuluar.

Komisioni Shtetëror për Ankesa në Procedurat e Prokurimeve Publike vendosi se mangësitë teknike dhe formale nuk lejonin vazhdimin e projektit. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit