Politikologu dhe studiuesi **Arbër Zaimi** ka reaguar pas raportimeve për ndalimin e hyrjes në Shqipëri të disa deputetëve dhe zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke e cilësuar këtë një veprim të papranueshëm.
Në një reagim publik, Zaimi tha se arsyetimi se ndalimi është bërë për shkak të mbështetjes së tyre në rrjetet sociale për protestat në Tiranë është “një veprim i çoroditur dhe për të ardhur keq”.
“Shpresoj që këtë vendim ta ketë marrë ndonjë zyrtar servil e i papjekur, dhe uroj që institucionet e Shqipërisë të kërkojnë falje”, shkroi ai.
Sipas Zaimit, Shqipëria është një shtet demokratik dhe bindjet apo preferencat politike të qytetarëve nuk mund të shërbejnë si bazë për masa ndëshkuese.
“Shqipëria, sipas ligjeve të saj, është demokraci, e preferencat politike të çdo njeriu nuk janë arsye për ta dënuar atë”, theksoi politikologu.
Reagimi i Zaimit vjen në kohën kur ndalimi i disa deputetëve dhe zyrtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut në pikat kufitare shqiptare ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në skenën politike. Ende nuk ka një sqarim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e këtyre ndalimeve.





