Shkup, 8 korrik – VMRO‑DPMNE, përmes një komunikate, i hodhi poshtë akuzat e LSDM‑së se pacientët janë mashtruar lidhur me ilaçin “Foster”, duke vlerësuar se bëhet fjalë për dezinformata dhe manipulime politike.
Nga partia thonë se ulja e çmimit referent të ilaçit ka ardhur pas përfshirjes së një ilaçi gjenerik në listën pozitive, me qëllim krijimin e konkurrencës, sigurimin e zgjedhjes më të madhe për pacientët dhe uljen e kostove.
“Alternativa është e disponueshme në vend. Kjo është praktikë standarde dhe rekomandim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me të cilën mundësohen kursime që mbeten në sistemin shëndetësor, në vend që të përfundojnë te kompanitë e huaja farmaceutike”, thuhet në reagimin e VMRO‑DPMNE‑së.
Në komunikatë theksohet se Qeveria e ka zgjeruar listën pozitive me tre ilaçe të reja antikoagulante – enoxaparin, nadroparin dhe rivaroxaban – të cilat nga 1 korriku janë të disponueshme në barnatoret e vendit.
VMRO‑DPMNE e akuzon LSDM‑në se ka heshtur kur, siç thonë ata, gjatë qeverisjes së saj pacientët onkologjikë mbetën pa terapi biologjike, ndërsa pacientët me fibrozë cistike pa ilaçet e domosdoshme.
Partia shton se Qeveria vazhdon të investojë në shëndetësi përmes zgjerimit të listës pozitive, rritjes së pagave, renovimit të institucioneve shëndetësore dhe furnizimit me pajisje të reja mjekësore, duke vlerësuar se shëndetësia mbetet një nga prioritetet e saj.përcjell Zhurnal.mk .





