Shkup, 8 korrik – Komuna e Tetovës i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së këshilltarëve të BDI-së që në mbledhjen e datës 13 të Këshillit Komunal të shtohet si pikë e rendit të ditës edhe debate mbi emrat e rrugëve. Udhëheqësi i këshilltarëve të BDI-së, Berat Murati sot ka dorëzuar edhe një listë me mbi 60 emra të rrugëve për të cilat pritet të diskutohet në këshillin komunal, raporton Alsat, transmeton Zhurnal.
“Kërkuam që si pikë e parë e rendit të ditës, të vendoset propozim vendim për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve dhe shesheve në territorin e Komunës së Tetovës. Fjala është për një propozim konkret për emërtimin e gjithsej 67 rrugëve dhe sheshit të Tetovës”, u shpreh Berat Murati, Këshilltar komunal i BDI-së.
Kreu i Këshillit Komunal të Tetovës ka deklaruar se kërkesa e opozitës do të shqyrtohet pasi përbën interes publik.
“Është procedurë e cila fillimisht këto emra që janë me interes publik po shqyrtohen në komisione, dhe kemi zhvilluar edhe debate në të shkuarën. Jemi këshilltar por s`mund të vendosim kokë në vete pa u konsultuar edhe me qytetarët e Tetovës, por sido që të jetë në seancën e radhës të këshillit e njëjta kërkesë e këshilltarëve të opozitës do pranohet dhe do debatohet për të njëjtën”, tha Jusuf Abduli, Kryetar i Këshillit Komunal në Tetovë.
Nga ana tjetër, për temën në fjalë, BDI sot ka ftuar qytetarët që të shtunën të dalin në protestë, në shenjë revolte ndaj Gjykatës Kushtetuese e cila abrogoi vendimin e këshillit komunal të 2007, me të cilin u ndërruan emrat e disa rrugëve dhe sheshit të Tetovës, përkatësisht u rikthyen emrat e vjetër të disa rrugëve dhe emri i vjetër i sheshit. përcjell Zhurnal.mk .





