Debati për parkimin në Strugë, Komuna sqaron: Tarifat mbeten të pandryshuara në të gjitha zonat e tjera

Advertisement

Pas reagimeve të shumta në opinion lidhur me vendimin për tarifat e parkimit në Strugë, Komuna ka dalë me një sqarim zyrtar, duke theksuar se nuk ka rritje të përgjithshme të çmimeve për parkim.

Sipas Komunës, ndryshimet e miratuara kanë të bëjnë vetëm me zonën qendrore gjatë sezonit veror, ndërsa në të gjitha zonat e tjera tarifat mbeten të njëjta si më parë.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se qëllimi i këtij vendimi është menaxhimi më efikas i komunikacionit dhe i vendeve të parkimit gjatë muajve të verës, kur Struga përballet me fluks të shtuar turistësh dhe vizitorësh.

Sqarim për opinionin publik‼️

Lidhur me vendimin e miratuar në seancën e fundit të Këshillit Komunal për rregullimin e çmimeve të parkimit, dëshirojmë të informojmë opinionin publik se rritja e tarifës zbatohet vetëm në zonën qendrore të qytetit, me qëllim të menaxhimit më efikas të trafikut, uljes së mbingarkesës dhe krijimit të një qarkullimi më funksional. NË TË GJITHA ZONAT tjera, tarifat e parkimit mbeten të pandryshuara.

Në të njëjtën kohë, hedhim poshtë pretendimet se ky vendim është marrë me qëllim të rëndimit financiar të bashkatdhetarëve tanë. Këto pretendime nuk qëndrojnë dhe nuk pasqyrojnë arsyet reale të këtij vendimi.

Mërgata jonë është pjesë e pandashme e komunitetit tonë dhe meriton respektin dhe vlerësimin maksimal. Shumica e bashkatdhetarëve tanë jetojnë në vende me standarde të larta të menaxhimit urban, ku politika të ngjashme të parkimit zbatohen prej vitesh si mjete për rregullimin e trafikut dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në qytete.

Ftojmë të gjithë qytetarët që debatet publike të zhvillohen mbi bazën e fakteve, argumenteve dhe respektit të ndërsjellë, duke shmangur keqinformimin dhe gjuhën fyese. Institucionet komunale do të vazhdojnë të marrin vendime në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit..

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit