Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë, Bekim Sali, ka përgëzuar gjeneratën e parë të specialistëve që përfunduan studimet specialistike në fushën e Mjekësisë Familjare në Universiteti i Tetovës, duke e cilësuar këtë si një moment historik për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
Sali kujtoi se rrugëtimi për krijimin e këtyre specializimeve kishte nisur disa vite më parë, kur ai ushtronte detyrën e ministrit të Shëndetësisë, me nënshkrimin e tetë specializimeve në fusha të ndryshme në Universitetin e Tetovës.
“Rrugëtimin që e nisëm disa vite më parë, kur isha Ministër i Shëndetësisë, me nënshkrimin e 8 specializimeve në fusha të ndryshme në Universitetin e Tetovës, e shoqëruan shumë sfida dhe pengesa. Megjithatë, besimi se arsimi i lartë në gjuhën shqipe duhet të fuqizohet na dha forcën të mos ndalemi”, ka shkruar Sali.
Ai theksoi se diplomimi i gjeneratës së parë të specialistëve dëshmon se vizioni, puna dhe këmbëngulja japin rezultate konkrete, duke e cilësuar këtë si një sukses jo vetëm institucional, por edhe personal.
Në fund, Sali uroi specialistët e rinj, duke theksuar se titulli që kanë fituar është njëkohësisht dëshmi e përkushtimit të tyre dhe një përgjegjësi për t’u shërbyer qytetarëve me profesionalizëm, etikë dhe humanizëm.





