Shkup, 6 korrik – Në Kuvend nesër do të mbahet sërish takim i koordinatorëve dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së thonë se në takimin e nesërm presin qëndrimet e LSDM-së dhe BDI-së në lidhje me propozimin e tyre për votimin me postë të diasporës, ndërsa i gjithë procesi të rregullohet me akt nënligjor në seancë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), më së voni deri më 30 shtator 2028. Ata janë të gatshëm, siç theksojnë, të pranojnë edhe një njësi zgjedhore.
“E Majta” (Levica) ndërkohë ka kërkuar që financimi shtetëror për reklama zgjedhore për partitë me grupe parlamentare të jetë 10 për qind, dhe vendimmarrja në KSHZ të jetë me konsensus, gjë që për VMRO-DPMNE-në është e papranueshme.
Në ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor që janë në procedurë parlamentare dhe për të cilat janë dorëzuar rreth 13.500 amendamente nga LSDM dhe Levica, më e kontestuara ka qenë propozimi për votimin elektronik të diasporës. LSDM e ka refuzuar menjëherë këtë propozim, ndërsa për Levicën ishte i pranueshëm në këmbim të rritjes së përqindjes për reklamim politik të paguar.
Pjesëmarrësit në grupin punues për Kodin Zgjedhor kanë pranuar propozimin e BDI-së dhe Levicës që numri i deputetëve të jetë kriter objektiv për përdorimin e 97% të këtyre mjeteve, ndërsa 3% të jenë në dispozicion të partive që nuk kanë deputetë në Kuvend. Sipas kësaj, 42% do të shkonin për dy partitë më të mëdha të pushtetit, 42% për dy partitë më të mëdha të opozitës, 8% për partitë me grupe parlamentare, 5% për partitë pa grupe parlamentare dhe 3% për partitë jashtëparlamentare dhe grupet e zgjedhësve.
Nëse në Parlament arrihet pajtueshmëri për Kodin Zgjedhor, atëherë LSDM dhe Levica do t’i tërheqin amendamentet dhe procesi do të zhbllokohet. Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Zgjedhor janë pika e fundit nga dhjetë pikat në periudhën e “grejs” për vendin tonë në kontekst të proceseve reformuese.
Ndërkohë, të mërkurën në seancë të Gjykatës Kushtetuese është iniciativa e Levicës dhe Demokratëve për reklamimin politik. përcjell Zhurnal.mk .





