Lumi strategjik i Evropës po thahet! Ekspertët ngrenë alarmin për transportin

Advertisement

Rënia e nivelit të ujit në lumin Rin po shkakton shqetësime të mëdha në Europë, pasi një nga rrugët më të rëndësishme të transportit për industrinë perëndimore po përballet me vështirësi serioze. Ekspertët paralajmërojnë se situata mund të ketë pasoja të konsiderueshme për furnizimin me lëndë të para, energji dhe mallra në disa shtete europiane.

Rini përshkon Gjermaninë, Francën, Zvicrën dhe Holandën, duke shërbyer si një korridor kyç për transportin e naftës, qymyrit, pjesëve të automjeteve dhe produkteve kimike. Megjithatë, valët e vazhdueshme të të nxehtit dhe mungesa e reshjeve kanë ulur ndjeshëm prurjet e lumit.

Në zona si Kaub, në Gjermani, niveli i ulët i ujit ka detyruar anijet tregtare të lundrojnë me vetëm 30 deri në 50 për qind të kapacitetit të tyre, për të shmangur bllokimin në fundin e lumit. Si pasojë, nevojiten më shumë anije për të transportuar të njëjtën sasi mallrash, duke rritur kostot dhe duke shkaktuar vonesa në furnizimin e fabrikave.

Sipas autoriteteve, situata është përkeqësuar nga mungesa e reshjeve gjatë pranverës dhe sasia e vogël e borës në Alpe gjatë dimrit, çka ka reduktuar rezervat natyrore të ujit që zakonisht ushqejnë lumin gjatë verës.

Përveç ndikimit ekonomik, temperaturat më të larta të ujit po krijojnë rrezik edhe për ekosistemin e lumit. Autoritetet kanë vendosur masa të reja për të mbrojtur florën dhe faunën, me synimin që kriza logjistike të mos shndërrohet edhe në një problem mjedisor.

Studimet e Qendrës së Përbashkët të Kërkimeve të Komisionit Europian tregojnë se ulja e prurjeve në lumin Rin pritet të vazhdojë të ndikojë në transport dhe të rrisë kostot për bizneset. Sipas ekspertëve, këto thatësira nuk janë më fenomene të izoluara, por pritet të bëhen gjithnjë e më të shpeshta në dekadat e ardhshme si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit