Vlorë, 6 korrik – Ish-presidenti i Kosovës dhe pronari i kompanisë MABCO, Behgjet Pacolli ka njoftuar se Gjykata e Tiranës ka marr vendim për heqjen e masës kufizuese përsa i përket administrimit të shoqërisë VIA.
Në një postim publik, Pacolli e cilëson vendimin si një tjetër fitore të drejtësisë, duke theksuar se gjykata ka zëvendësuar masën e sigurimit të datës 5 qershor 2026 dhe ka hequr çdo kufizim për administrimin e shoqërisë nga ortaku mazhoritar.
Sipas tij, gjykata është mbështetur edhe në arsyetimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë, e cila kishte rikthyer të drejtën e ortakut mazhoritar, MABCO, për të administruar shoqërinë dhe për të ushtruar të drejtat që burojnë nga kuota e saj.
Pacolli pretendon se masat e mëparshme të sigurimit, të vendosura ndaj MABCO-s, kanë qenë të paligjshme dhe kanë penguar zhvillimin e projektit, duke përfshirë edhe bllokimin e hyrjeve në aeroport për disa muaj. Ai shton se kjo situatë ka dëmtuar punën e nënkontraktorëve dhe ka vonuar përfundimin e punimeve.
Në reagimin e tij, Pacolli shpreh mirënjohje për Gjykatën e Tiranës dhe për ekipin ligjor “Halimi & Ahmetaj”, ndërsa u bën thirrje institucioneve publike, përfshirë Ministrinë, Avokaturën e Shtetit dhe Policinë, të zbatojnë vendimet e gjykatave dhe të garantojnë aksesin e MABCO-s, punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier.
“Ne duam të angazhohemi sa më parë për të hapur aeroportin, për të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, shkruan Pacolli, duke theksuar se objektivi i kompanisë mbetet përfundimi i projektit me interes publik./Arbresh.info përcjell Zhurnal.mk .





