Pjesa II e autostradës Shkup-Bllacë do të zgjasë 4 vite

Advertisement

Ndërtimi i pjesës së dytë të autostradës Shkup–Bllacë pritet të nisë në muajin gusht dhe të zgjasë rreth katër vjet, njoftoi drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, shkruan TV21. Sipas tij, projekti financohet me një grant prej 30,8 milionë eurosh dhe një hua prej 167,6 milionë eurosh. Segmenti i ri do të jetë 10,5 kilometra i gjatë, ndërsa së bashku me 1,5 kilometrat e ndërtuar më herët, autostrada nga nyja Stenkovec deri te kufiri do të arrijë në 12 kilometra. Trajanovski tha se trasa kalon në terren kodrinor dhe malor, ndaj projekti përfshin ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 mbikalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse. Ai shtoi se kontraktori dhe konsulenti tashmë janë përzgjedhur, ndërsa përzgjedhja e mbikëqyrjes pritet të përfundojë së shpejti.

“Granti është 30,8 milionë euro, ndërsa kredia (huaja) është 167,6 milionë euro. Gjatësia e kësaj autostrade është 10,5 kilometra. Më parë janë ndërtuar 1,5 kilometra, kështu që gjatësia totale nga nyja Stenkovec pranë Shkupit deri te kufiri është 12 kilometra. Këto 10,5 kilometra, që janë objekt i huasë së sotme, do të kenë në të dy drejtimet nga dy korsi me gjerësi 3,5 metra dhe një shirit anësor prej 2,5 metrash. Gjerësia totale e rrugës do të jetë 27 metra. Terreni është kodrinor dhe malor dhe është pjesë e masivit të Malit të Zi të Shkupit. Ky është një terren jashtëzakonisht i vështirë për ndërtim. Prandaj, projekti parashikon 5 tunele me dy gypa, me gjatësi totale prej rreth 5 kilometrash, 9 ura me një gjatësi prej 2,5 kilometrash, 11 mbikalime, 4 galeri për stabilizimin e pjerrësisë, secila me gjatësi 1 kilometër, si dhe 9 mure mbajtëse, të cilat gjithashtu janë për stabilizimin e pjerrësisë. Presim që ndërtimi të fillojë në gusht të këtij viti. Sipas kontratës, periudha e ndërtimit është afërsisht 4 vjet. Është zgjedhur konsulenti, është zgjedhur kontraktori, ndërsa mbikëqyrja është në fazën e vlerësimit dhe presim që të zgjidhet së shpejti”, tha Koce Trajanovski, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit