Gjykimi për zjarrin tragjik në diskoteken Pulse në Koçan, në të cilin humbën jetën 63 persona dhe u plagosën më shumë se 200, vazhdon sot në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës me një fazë të re të procedurës së provave.
Në seancën e sotme dëgjimore, Prokuroria Publike do të vazhdojë të paraqesë prova materiale, me pritjen që të paraqiten transkripte të komunikimeve telefonike. Pas prezantimit të tyre, provat e vetme të propozuara nga prokuroria do të jenë ekspertiza e ndërtimit dhe dëgjimi i ekspertëve.
Në seancën e mëparshme dëgjimore u prezantuan dokumente dhe procesverbale të shumta, duke përfshirë procesverbale nga kontrollet, certifikata për sende të sekuestruara përkohësisht nga Ministria e Punëve të Brendshme, njoftime dhe korrespondencë nga Shërbimi Shtetëror i Tregut i Shtipit, dokumentacion nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, si dhe urdhra dhe procesverbale nga inspektimet e kryera në lidhje me personat juridikë “Classic DM” dhe “MMMM Kafe”.
Prokurorja publike Natasha Saramandova theksoi se ky është një rast penal jashtëzakonisht kompleks me prova të shumta. Ajo theksoi se procedura e provave është drejt fundit dhe se shumica e provave lidhen me rrethanat që çuan në pasojat tragjike – vdekjen e 63 personave dhe lëndimet e rënda trupore të më shumë se 200 personave, përfshirë shumë të rinj dhe fëmijë.
Sipas Saramandovës, për shkak të kufizimeve ligjore në këtë fazë të procedurës, prokuroria nuk mund t’u përgjigjet në detaje vërejtjeve dhe kundërshtimeve të mbrojtjes, por njoftoi se kjo do të bëhet në argumentet përfundimtare.
Pasi të përfundojë procedura e provave e prokurorisë, mbrojtja do të paraqesë provat e veta materiale, dëshmitarët dhe dy raporte ekspertësh.
Gjykimin po e drejton gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.
Zjarri në diskotekën Pulse shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një shfaqjeje nga grupi muzikor DNA, dhe është një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e kohëve të fundit të Maqedonisë.





