Ambasadori i Kosovës në Gjermani e shfaq suksesin e doktorit nga Struga. Për çka bëhet fjalë?

Advertisement

Mjeku shqiptar nga Struga, Dr. Shkelqim Reçi, ka përfunduar me sukses certifikimin prestigjioz DEGUM Niveli II në anestezinë rajonale në Gjermani, një nga standardet më të larta profesionale në ultrasonografinë për anestezi rajonale.

Lajmin e bëri të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, duke e cilësuar këtë arritje si një tjetër histori suksesi të mërgatës shqiptare. Sipas tij, Dr. Reçi është ndër shqiptarët e paktë që kanë arritur këtë nivel certifikimi në këtë fushë.

Rruga profesionale e Dr. Reçit nisi në Strugë, ndërsa studimet universitare i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në Tiranë. Më pas ai ndërtoi karrierën në Gjermani, ku punoi në Carl-von-Basedow Klinikum Merseburg dhe në Spitalin Universitar të Halles, duke u specializuar në anesteziologji dhe mjekësi intensive.

Që nga janari i vitit 2025, ai mban pozitën e kryemjekut (Oberarzt) në Repartin e Anesteziologjisë dhe Mjekësisë Intensive në Carl-von-Basedow Klinikum Merseburg.

Përveç angazhimit profesional në Gjermani, Dr. Reçi synon të bashkëpunojë edhe me Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke kontribuar në edukimin e mjekëve, organizimin e trajnimeve praktike dhe zhvillimin profesional të kuadrove të reja.

Sipas ambasadorit Ajeti, ky sukses është dëshmi e potencialit dhe profesionalizmit të mjekëve shqiptarë që po dallohen në institucionet më prestigjioze evropiane.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit