Shkup, 3 korrik – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Michalis Rokas, vlerëson se Kodi Zgjedhor është cilësor dhe ka marrë vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian dhe ODIHR-i, duke u bërë thirrje partive politike që të tejkalojnë mosmarrëveshjet dhe të arrijnë konsensus për këtë çështje të rëndësishme.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka përsëritur thirrjen drejtuar opozitës për një takim të përbashkët, me qëllim tejkalimin e mospajtimeve lidhur me propozimin për votimin elektronik të diasporës.
Sipas Mickoskit, arsyeja kryesore për bllokimin e miratimit të Kodit Zgjedhor është frika e partive opozitare nga një humbje e re në zgjedhje.
Nga ana tjetër, LSDM-ja nuk heq dorë nga qëndrimi i saj kundër votimit elektronik të diasporës. Kryetari i partisë, Venko Filipçe, tha se është e pakuptueshme pse mënyra e votimit do të ishte e ndryshme për qytetarët që jetojnë në vend dhe për ata që jetojnë jashtë tij.
Miratimi i Kodit Zgjedhor është bllokuar nga LSDM-ja dhe E Majta (Levica), të cilat kanë dorëzuar rreth 13.500 amendamente. Pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbeten votimi elektronik i diasporës dhe mënyra e financimit të proceseve zgjedhore. përcjell Zhurnal.mk .





