Në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, po hapim një kapitull të ri të qeverisjes, të bazuar në barazi, drejtësi dhe përgjegjësi.
1.Drejtësia – është themeli i shtetit të së drejtës dhe garancia më e fortë për barazinë e qytetarëve. Marrja e këtij resori nënkupton përgjegjësi për të çuar përpara reforma të thella në sistemin e drejtësisë, për ta kthyer besimin e qytetarëve te gjqyësori dhe institucionet, për të garantuar zbatimin e plotë të të drejtave kushtetuese e gjuhësore që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, dhe për të hapur rrugën drejt trajtimit të drejtë të rasteve të montuara politikisht. Pa drejtësi të pavarur dhe të barabartë nuk mund të ketë as shtet demokratik, as integrim evropian.
2.Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive – është ministria që mban mbi supe frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe arkitekturën e bashkëjetesës në vend. Ky resor nuk është vetëm një mekanizëm koordinues, por institucioni që duhet të garantojë avancimin e barazisë, respektimin e të drejtave kolektive, dialogun ndërmjet komuniteteve dhe zbatimin konsekuent të parimit të përfaqësimit të drejtë e adekuat. Forcimi i kësaj ministrie do të thotë forcim i kohezionit shoqëror, stabilitetit institucional dhe karakterit multietnik të shtetit.
3.Kultura – në këtë vit jubilar po startojmë me më shumë investime në projekte dhe programe kulturore që promovojnë karakterin multietnik të shtetit dhe forcojnë identitetin kulturor të shqiptarëve.
Së bashku me resorët e Çështjeve Evropiane, Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor, këto përgjegjësi na japin mundësinë ta forcojmë modelin konsensual të demokracisë sonë multietnike dhe ta përshpejtojmë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, me shqiptarët si faktor shtetformues dhe partner të barabartë në çdo proces vendimmarrës.
Ky është një angazhim për rezultate konkrete, institucione më të forta dhe një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët.
Ky rikonfigurim përfaqëson edhe një konsolidim të plotë të përfaqësimit të VLEN-it në Qeveri. Tashmë, përgjegjësitë që u janë besuar shqiptarëve barten nga përfaqësues me legjitimitet të qartë politik dhe me përgjegjësi të drejtpërdrejtë para votuesve. Një VLEN i konsoliduar në Qeveri nënkupton më shumë unitet në vendimmarrje, më shumë efikasitet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve dhe më shumë përgjegjësi në përmbushjen e zotimeve tona ndaj qytetarëve.





