Shkup, 2 korrik – Ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajlovski, njoftoi se të gjitha automjetet JLTV kanë mbërritur dhe se të gjitha automjetet e blinduara të lehta Stryker duhet të mbërrijnë gjithashtu në portin e Selanikut të hënën, gjë që do të përfundojë kontratën me SHBA-në me vlerë rreth 339 milionë euro deri në fund të muajit.
Në konferencën e sotme për shtyp mbi punën e bërë gjatë mandatit dyvjeçar, Misajlovski tha se janë nënshkruar edhe marrëveshje me SHBA-në për prokurimin e armëve të lehta të këmbësorisë, sistemeve pa pilot Puma dhe Raven, pajisjeve të mbrojtjes kibernetike, pajisjeve radio dhe përmirësimin e Qendrës së Simulimit në Veles.
Ai gjithashtu tregoi se është nënshkruar një marrëveshje për sistemet luftarake antitank Javelin, dorëzimi i të cilave duhet të fillojë vitin e ardhshëm. Sipas Misajlovskit, sistemet e artilerisë Boran kanë mbërritur gjithashtu nga Turqia, si dhe një pjesë e pajisjeve Mistral 3, dhe procesi duhet të përfundojë deri në fund të vitit.
Ministri tha gjithashtu se me mbështetjen e Fondit Evropian të Paqes, deri më tani janë marrë 40 milionë euro në tre pako dhe njoftoi se me shumë mundësi do të ketë një paketë të re për Ministrinë e Mbrojtjes, pra Ushtrinë.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut sivjet mbushi plot 6 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020,vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.
Që nga ardhja në pushtet e Donald Trump, marrëdhëniet brenda NATO janë përballur me sfida dhe tensione të reja, duke përfshirë kritikat e vazhdueshme ndaj aleatëve për shpenzimet e mbrojtjes dhe dyshimet mbi angazhimin e SHBA-së ndaj mbrojtjes kolektive. përcjell Zhurnal.mk .





