Berisha: Dënojmë dhunën e policisë ndaj protestuesve paqësorë

Advertisement

Tiranë, 02 korrik – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi sot ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar para Kuvendit, duke e cilësuar atë si dhunë ndaj protestuesve paqësorë dhe duke kërkuar lirimin e të gjithë personave të ndaluar.

Në një reagim, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, se kanë urdhëruar përdorimin e forcës ndaj protestuesve.

“Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh, skenat e dhunës shtazarake të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin”, tha ai.

Sipas tij gjatë ndërhyrjes policia ka përdorur gaz lotsjellës, spraj, mjete piroteknike dhe mjete ujore për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit, sipas saj, ishin duke ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim.

“Dëshmuan se janë të aftë dhe të gatshëm, të ndërmarrin çdo krim dhe çdo akt për të mbrojtur karrigen e tyre”, shtoi kreu i PD-së.

Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm, të të gjithë të ndaluarve, të cilët i cilësoi si, “protestues paqësorë që po protestonin në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.

“Dënojmë me forcën më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj tyre dhe u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, të bashkohen, të solidarizohen, të mbështesin me të gjithë potencialet e tyre suksesin e pandalshëm të lëvizjes rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90”, theksoi Berisha.

përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit