Gastronomia turke, e njohur për traditën e pasur dhe shijet autentike, u prezantua para publikut në Shkup në një ngjarje të veçantë kulinare, e organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Turqisë dhe Zyra e Këshilltarit për Kulturë dhe Promovim pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup.
Ngjarja u mbajt në hotelin Limak Skopje Luxury Hotel, ku shefi i njohur maqedonas i kuzhinës, Boban Simovski, përgatiti specialitete të frymëzuara nga përvoja dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit të tij në Stamboll, në kuadër të iniciativës “Java e Kuzhinës Turke”.
Të pranishmit patën mundësinë të shijojnë pjata tradicionale të interpretuara në mënyrë moderne. Në menu u servirën meze të ndryshme si pinxhur, sarma, ajvar, tarator, shakshuka, atom me speca djegës, hajdari dhe turshi, si dhe byrek, bakllava, tullumba dhe sheqerpare – specialitete që konsiderohen pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulinare të Turqisë dhe Maqedonisë.
Përveç degustimit, të ftuarit u njohën edhe me historinë dhe simbolikën e disa prej pjatave më karakteristike të kuzhinës turke. Dolma u prezantua si dëshmi e lidhjeve të përbashkëta kulturore mes popujve, ndërsa byreku si simbol i udhëtimit të recetave ndër shekuj. Vëmendje të veçantë mori edhe bakllavaja, e cila konsiderohet një nga ëmbëlsirat më të rafinuara të gastronomisë turke.
Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe tema e sivjetme e “Javës së Kuzhinës Turke”, “Tryeza e Trashëgimisë”, e cila promovon kuzhinën si pjesë të gjallë të trashëgimisë kulturore, të formuar ndër shekuj përmes migrimeve, traditave dhe jetës së përbashkët.
Edhe pse “Java e Kuzhinës Turke” tradicionalisht organizohet nga 21 deri më 27 maj, organizatorët njoftuan se këtë vit aktivitetet do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit, me synimin për ta prezantuar këtë trashëgimi para një publiku sa më të gjerë ndërkombëtar.

Me larminë e saj, autenticitetin dhe historinë që bart, kuzhina turke vazhdon të jetë një nga ambasadorët më të fuqishëm kulturorë të Turqisë dhe një nga arsyet kryesore pse miliona turistë e vizitojnë vendin çdo vit.





