Shkup, 29 qershor – Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, reagoi ndaj akuzave më të fundit të Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), duke deklaruar se udhëheqësia e kësaj partie po përpiqet t’ua faturojë subjekteve të tjera politike dështimet e veta dhe humbjen e besimit te qytetarët.
“Udhëheqësia e kësaj partie, dikur shtetformuese e sot e reduktuar në një nivel margjinal, vazhdimisht kërkon fajtorët për gabimet e veta te të tjerët. Se a po shpërbëhet ZNAM-i, këtë e dëshmojnë më së miri mediat dhe qytetarët që marrin pjesë në tribunat tona në mbarë Maqedoninë, ku sallat nuk mjaftojnë për t’i pritur të gjithë të interesuarit”, deklaroi Dimitrievski.
Ai shtoi se LSDM-ja, në vend që çdo ditë të përhapë spin-e politike dhe akuza të pabazuara, duhet të përballet me politikat e veta, të cilat, sipas tij, kanë çuar në humbjen e besimit të qytetarëve.
“Për ta mund të them vetëm një gjë – bëhet fjalë për një strukturë politike në shpërbërje, e koordinuar nga Strumica, me një udhëheqësi të njohur që e ka sjellë partinë në këtë gjendje”, u shpreh ai.
Dimitrievski theksoi se përgjigjja më e mirë ndaj këtyre sulmeve është mbështetja në rritje që, sipas tij, Lëvizja ZNAM po merr në terren.
“Ne nuk do të merremi me spin-e dhe trillime. Do të vazhdojmë të komunikojmë drejtpërdrejt me qytetarët, të ofrojmë zgjidhje konkrete dhe të punojmë për një Maqedoni evropiane me institucione të forta, dinjitet kombëtar të ruajtur dhe politikë të përgjegjshme”, përfundoi lideri i ZNAM-it. përcjell Zhurnal.mk .





