Dublin, 27 qershor – Irlanda nga 1 korriku do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke udhëhequr punën e BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm.
Në programin e saj të punës, presidenca irlandeze ka vendosur si prioritete zgjerimin e BE-së, forcimin e konkurrencës, vlerave dhe sigurisë. Në këtë kuadër, si vende kryesore për përparim në procesin e integrimit përmenden Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk figuron në listën e prioriteteve të përmendura.
Dublini zyrtar thekson se do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha vendet kandidate dhe potenciale për anëtarësim, duke mbështetur procesin e bazuar në merita. Sipas programit, Irlanda do t’i japë përparësi përmbylljes së negociatave me Malin e Zi dhe avancimit të tyre me Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë.
Në shtyllën e dytë të programit, të dedikuar për “vlerat evropiane”, theksohen sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e pakicave, në përputhje me nenin 2 të Traktatit të BE-së.
Ndërkohë, sipas raportimeve të “Politico”, Bashkimi Evropian po shqyrton një plan të ri për zgjerimin, sipas të cilit vendet kandidate mund të përfitojnë disa nga avantazhet e anëtarësimit edhe para pranimit zyrtar, por pa të drejta politike. Kjo përfshin qasje të pjesshme në tregun e përbashkët, programe financiare dhe marrëveshje tregtare të favorshme, në varësi të progresit të secilit shtet.
Komisioni Evropian pritet të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare për këtë nismë, ndërsa liderët e BE-së pritet ta diskutojnë atë në muajin tetor. Sipas analizave, qëllimi i Brukselit është të përshpejtojë procesin e zgjerimit dhe të rikuperojë vonesat e viteve të fundit, duke ruajtur parimin se pa reforma nuk ka anëtarësim. përcjell Zhurnal.mk .





