Drejtori i Ndërmarrjes Publike Komunale në Tetovë, Valon Zeqiri, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke mbrojtur punën e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe duke kritikuar BDI-në.
Sipas Zeqirit, Bilall Kasami e mori drejtimin e komunës në një situatë të rëndë financiare dhe infrastrukturore, me 24 milionë euro borxhe, mungesë të ndriçimit publik, probleme me mbeturinat, mungesë të ujit të pijshëm në disa lagje dhe mungesë të investimeve kapitale.
Ai thekson se gjatë mandatit të Kasamit janë realizuar një sërë investimesh, përfshirë ndërtimin e stadiumit të qytetit, dy pishinave të mbyllura, zëvendësimin e gypit kryesor të ujësjellësit, rregullimin e infrastrukturës në lagje dhe investime të tjera, duke shtuar se vetëm gjatë vitit 2025 në Komunën e Tetovës janë siguruar 12 milionë euro investime.
Në fund të reagimit, Zeqiri deklaron se qytetarët e Tetovës vazhdojnë ta mbështesin Bilall Kasamin, duke argumentuar se ai është në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe merret me zgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa kundërshtarët politikë i akuzon se qytetarët i kujtojnë vetëm gjatë fushatave zgjedhore. Ai e përfundon postimin me mesazhin: “Të fala nga Tetova e Bilall Kasamit. Shihemi në vitin 2029!”





