Një ëndërr e kahershme do të marrë jetë këtë verë për Fahir Rexhepin nga Rapperswil-Jona i Zvicrës.
Më 1 korrik, në orën 06:00, ai së baahku me Betin Qerimin do të nisen në një udhëtim të jashtëzakonshëm prej rreth 1700 kilometrash me biçikletë elektrike drejt Preshevës, vendi i origjinës së tyre familjare.
Dy aventurierët synojnë ta përshkojnë itinerarin brenda 10 deri në 14 ditësh, duke kaluar nëpër disa shtete evropiane deri në mbërritjen në Preshevë.
Rexhepi, pronar i kompanisë Redzepi Dach, thotë se ky udhëtim është realizimi i një dëshire që e ka ushqyer prej vitesh.
“Ëndrrat nuk duhet të shtyhen, por të realizohen para se të kalojë koha ose të ndryshojnë rrethanat,” u shpreh ai për median zvicerane Linth24.
Nisja do të bëhet nga adresa Schönbodenstrasse 23 në Rapperswil, ku familjarë, miq dhe qytetarë janë ftuar t’i përcjellin dhe t’i inkurajojnë në fillimin e kësaj aventure.
Projekti mbështetet nga disa sponsorë lokalë, ndërsa në Preshevë dy çiklistët do të priten nga familjarët, miqtë dhe mediat vendore.
Portali zviceran Linth24 do ta ndjekë gjatë gjithë rrugëtimit këtë sfidë të veçantë, nga nisja në Rapperswil deri te mbërritja në Preshevë pas rreth 1700 kilometrash.(INA)






