Temperaturat në rritje, Mexhiti: Shërbime mjekësore më afër qytetarëve

Advertisement

Shkup, 26 qershor – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se shëndeti i qytetarëve dhe parandalimi i rreziqeve nga temperaturat e larta mbeten prioritet i institucioneve lokale.

Ai bëri të ditur se, në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, përfshirë Gjinekologjinë, Klinikën e Fëmijëve, Qendrën e Shëndetit Publik, Shtëpinë e Shëndetit Shkup dhe Kryqin e Kuq, për koordinimin e masave mbrojtëse gjatë periudhës së verës.

“Së bashku diskutuam për angazhimin e ekipeve mjekësore në terren, të cilat do të fillojnë aktivitetin nga Parku i Çairit, Parku Rinia në Fushë Topanë dhe Çarshia e Vjetër. Ekipet do të ofrojnë kontrolle bazë shëndetësore, shpërndarje të ujit, këshilla profesionale për mbrojtjen nga temperaturat e larta, si dhe broshura informuese me rekomandime praktike për qytetarët”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grupeve më të rrezikuara, si fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, duke u ofruar rekomandime për hidratimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen gjatë ditëve me temperatura të larta.

“Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë. Në bashkëpunim me institucionet shëndetësore do të vazhdojmë me aktivitete informuese dhe parandaluese, për t’u siguruar që secili qytetar të ketë mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm për ta përballuar sa më sigurt këtë periudhë të verës”, theksoi Mexhiti. përcjell Zhurnal.mk .

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit