Mosha e përdorimit të drogës në Kosovë ka rënë në 16 vjeç

Advertisement

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) dhe Labyrinth në Ditën Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, kanë kërkuar adresim urgjent të situatës dhe veprim të koordinuar nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga përdorimi i substancave narkotike.

“Kosova po përballet me sfida të shumta në parandalimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima të abuzimit me narkotikë. Viteve të fundit, vlerësohet se numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar shifrën prej 35 mijë, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër. Bazuar në bazën e të dhënave të Labyrinth, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë nga 18 vjeç në vitin 2018, në 16 vjeç në periudhën e fundit”, thuhet në reagimin e tyre.

Organizatat vlerësojnë se marihuana vazhdon të mbetet substanca më e përdorur në Kosovë. Ndërkaq, megjithëse deri në vitin 2018 ishte shënuar ulje e përdorimit të heroinës, vitet e fundit është vërejtur një rritje e lehtë e përdoruesve të saj, veçanërisht në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Njëkohësisht, sipas tyre, është evidentuar edhe një rritje e shpejtë e përdorimit të kokainës në popullatën e përgjithshme.

KOMF dhe Labyrinth rendisin disa nga faktorët që ndikojnë në fillimin e përdorimit të drogës nga fëmijët, përfshirë disponueshmërinë e substancave narkotike në treg, traumat e hershme të fëmijërisë, mungesën e informacionit mbi rreziqet, presionin e bashkëmoshatarëve dhe kureshtjen për të eksperimentuar.

Ata paralajmërojnë se pasojat e përdorimit të drogave janë të shumta dhe prekin jo vetëm fëmijët, por edhe familjet e tyre.

“Përdorimi i drogave sjell pasoja të dëmshme për fëmijën dhe familjen, duke përfshirë dëmtimin e shëndetit fizik dhe psikologjik, problemet sociale, kriminalitetin dhe shpenzimet financiare të mëdha”, thuhet në reagim.

Sipas organizatave, Kosova vazhdon të mos ofrojë shërbime të mjaftueshme parandaluese dhe rehabilituese për fëmijët dhe të rinjtë që përballen me varësinë nga droga.

“Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të strukturuara dhe të qëndrueshme parandaluese dhe rehabilituese të cilat janë më se të nevojshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Kosova nuk ofron mjaftueshëm shërbime të qasshme për identifikimin e fëmijëve dhe të rinjve që janë viktima të abuzimit me narkotikë”.

Po ashtu, profesionistët që punojnë me këto raste përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh.

“Ata nuk disponojnë burimet e nevojshme, duke përfshirë ekipe multidisiplinare, reparte të posaçme për fëmijë, për zbatimin e planeve dhe programeve të specializuara për rehabilitim. Profesionistët nuk kanë burimet e nevojshme për të mbështetur prindërit ose kujdestarët në trajtimin dhe mbështetjen e fëmijëve të tyre që janë viktima të abuzimit me droga”, thuhet më tej.

Për këtë arsye, KOMF dhe Labyrinth kërkojnë rritjen e fushatave ndërgjegjësuese, krijimin e programeve të strukturuara për parandalimin dhe trajtimin e varësisë, si dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë përdorues të drogave.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit