Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e duhur për partinë, pas përplasjeve që u shpërfaqën në lidership.
Tri degë të kësaj partie të martën i kërkuan Lumir Abdixhiut dorëheqjen nga posti i kryetarit pasi partia doli sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. Ai refuzoi duke thënë se ka besimin e partisë në votëbesimin e 31 janarit, teksa u kërkoi dorëheqjen kryetarëve të atyre degëve.
Bajrami që atë kohë ishte dorëhequr nga pozita e nënkryetares së LDK-së ka thënë se partia ka nevojë për reflektim të thellë.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo ka thënë se edhe votimi ku rreth 45 për qind e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes, ishte tregues se partia ka nevojë për reflektim.
“Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!” ka shkruar tutje ajo.





