Kuvendi sot do të mbajë seancën e 106-të, në rendin e ditës së së cilës është interpelanca për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e paraqitur nga deputetët e partisë “e Majta”.
Parashtruesit e interpelancës deputetët: Amar Mecinoviq, Borislav Kërmov, Dimitar Apasiev, Jovana Mojsoska, Rexhep Ismail dhe Sasko Jançev, akuzojnë ministrin Toshkovski për krijimin e një “force policore private partiake me qëllim mbulimin e qeverisë dhe revanshizmin politik të synuar ndaj opozitës”; përgjegjësi komanduese për dështimet e policisë që çuan në tragjedinë në Koçan; mosveprimin e policisë së Maqedonisë së Veriut në rastet e dhunës në familje, dhunës midis bashkëmoshatarëve dhe dhunës me bazë gjinore, si dhe gjuhës së urrejtjes. Ndër të tjera, ata gjithashtu vërejnë, siç theksojnë, “standarde të dyfishta” joprofesionale në veprimet e policisë me sjellje të ndryshme për raste të njëjta ose të ngjashme, të ndjekura me keqpërdorimin e autoritetieve gjatë përdorimit të forcës.
Kjo është interpelanca e tretë për ministrin Toshkovski, dhe e dyta nga e Majta. Interpelancë për punën e tij ka paraqitur edhe BDI-ja.





