Rreth 12 mijë vende të lira në shkollat e mesme, nesër afati i dytë i regjistrimit

Advertisement

Nesër, më 23 qershor, do të realizohet afati i dytë i paraqitjes elektronike për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2026/2027. Pas përfundimit të afatit të parë të regjistrimit, në të cilin aplikuan gjithsej 15.075 nxënës dhe u regjistruan 13.397 prej tyre, kanë mbetur të lira edhe 11.882 vende në shkollat e mesme në mbarë vendin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Arsimit, nga vendet e lira, 7.404 janë për mësim në gjuhën maqedonase, 4.002 për mësim në gjuhën shqipe, 456 për mësim në gjuhën turke dhe 20 për mësim në gjuhën serbe.

Dorëzimi i dokumentacionit të nevojshëm do të bëhet më 24 qershor, ndërsa listat e renditjes me rezultatet e regjistrimit do të publikohen më 25 qershor deri në orën 12:00. Në ato shkolla ku do të ketë kandidatë me numër të njëjtë të pikëve dhe vende të kufizuara, do të organizohet testim kualifikues më 29 qershor.

Rezultatet përfundimtare do të publikohen po atë ditë në tabelat e shpalljeve të shkollave dhe në faqet e tyre zyrtare. Këtë vit shkollor testimi kualifikues u zhvillua sot, në shkollën e mesme medicinale “dr.Pançe Karagjozov” për profilin teknik farmaceutik në gjuhën shqipe. Nxënësit u testuan në biologji dhe kimi, sipas programit mësimor të klasës së tetë dhe të nëntë. Autoritetet arsimore u bëjnë thirrje nxënësve që nuk arritën të regjistrohen në afatin e parë të shfrytëzojnë mundësinë e dytë dhe të aplikojnë brenda afatit të paraparë./Alsat.mk.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit