Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali duke folur për rikonstruimin e Qeverisë, ka thënë se analizohen gjitha perfomancat e funksionarëve dhe në VLEN janë në fazën e kompletimit të raportit për gjithë funksionarët e saj.
Në emisionin “360 Gradë” në TVM1, Sali ka thënë se deri tani ka pasur një takim ku është bërë analizë e bashkëpunimit dhe funksionimit të qeverisë.
Nëse ka ndonjë që është lodhur nga funksioni duhet të shkojë
“Konsideroj se kjo do jetë bazë se si koalicioni qeveritar të ecë më tej, është analizuar puna e qeverisë, e ministrave që të mund të realizohet ajo që është premtuar. Nëse ka ndonjë që është lodhur nga funksioni duhet të shkojë, analizohen gjitha perfomancat e funksionarëve dhe në VLEN jemi në fazën e kompletimit të raportit për gjithë drejtorët, ministra, zv/ministra, drejtues të institucioneve tjera dhe në bazë të atij raporti do të sjellim vendim se ku duhet të freskohet ekipi”, ka thënë Sali.
Ai thekson se me rikonstruimin do të plotësohen edhe dy emrat e ministrave Fetai dhe Limani.
“Do të ketë freskim në ekipin e VLEN-it, ndërsa për pjesën tjetër mbetet e hapur, bisedojmë për mundësitë që emrat të ndërrohen apo pozicionet si resorë”, ka thënë zv/kryeministri i parë Sali.





