Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-kandidatit për kryetar të Komunës së Tetovës, Bajram Rexhepi, duke i kujtuar atij dhe BDI-së, siç thotë, bilancin e dobët pas 22 viteve në pushtet, transmeton zyrtare.
Në një postim, Azizi thekson se pas luftës së vitit 2001 dhe arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët i dhanë BDI-së besimin për më shumë se dy dekada në pushtetin qendror dhe lokal, por sipas tij rezultatet kanë munguar.
“Luftë bëmë në vitin 2001, Marrëveshjen e Ohrit e fituam, pastaj ju dhamë 22 vite pushtet qendror, pushtet lokal, gjysmën e qeverisë, ministra sa të duash, gjykatës e prokurorë me telefonata, madje edhe kryeministër teknik. Me pak fjalë, ju dhamë gjithçka: gjak, mund, djersë dhe rini”, shkruan Azizi.
Ai akuzon qeverisjet e kaluara për mosrealizim të projekteve infrastrukturore në Tetovë dhe Pollog, duke përmendur problemet me deponitë, qentë endacakë, furnizimin me ujë të pijshëm dhe emigrimin e të rinjve.
Azizi ndalet veçanërisht te fshati Sellcë, duke pretenduar se gjatë viteve të qeverisjes së BDI-së nuk janë realizuar investimet e premtuara, ndërsa sipas tij, projektet kanë nisur të marrin formë vetëm gjatë mandatit të kryetarit aktual të Tetovës, Bilall Kasami.
“Para se të mbash ligjërata për referendume e kauza të mëdha, ndoshta bëj një referendum me banorët e Sellcës dhe të Tetovës: a e mbajnë mend ndonjë projekt tuajin?”, shprehet deputeti i VLEN-it.
Në fund të reagimit, Azizi vlerëson se qytetarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre në zgjedhje dhe paralajmëron se përgjigjja, sipas tij, do të jetë edhe më e qartë në proceset e ardhshme zgjedhore.
“Qytetarët nuk harrojnë. Ata i shohin rrugët e pabëra, projektet e munguara dhe premtimet e harruara. Dhe kur vjen dita e votimit, japin përgjigjen e tyre më qartë se çdo referendum”, përfundon Azizi.





