Siljanovska-Davkova: Politizimi i Gjykatës Supreme rrezikon rendin demokratik

Advertisement

Pavarësia e gjyqësorit, besimi i qytetarëve dhe nevoja për komunikim më të mirë midis gjyqtarëve dhe publikut janë në fokus të Konferencës së XVI-të Vjetore të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila mbahet sot dhe nesër në Shkup. Në hapjen e sotme të konferencës, pjesëmarrësit theksuan se pa një mbështetje të fortë publike, pavarësia e gjyqësorit dhe institucionet demokratike vihen në rrezik, kurse shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira është i domosdoshëm për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.

Konferenca, e organizuar nga Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut, mblodhi përfaqësuesit më të lartë të trembëdhjetë gjykatave supreme, si dhe gjyqtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekspertë nga organizata ndërkombëtare.

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj theksoi se situata në gjyqësor më shpesh vlerësohet përmes rolit dhe funksionimit të Gjykatës Supreme.

“Kur instanca më e lartë gjyqësore është e pavarur, ajo gëzon besimin më të madh të publikut dhe kjo është dëshmi e sundimit të ligjit. Përmes statusit dhe punës së Gjykatës Supreme shumë shpesh vlerësohet gjendja në të gjithë gjyqësorin. Çdo përpjekje për politizimin e Gjykatës Supreme paraqet rrezik jo vetëm për pavarësinë e gjyqësorit, por edhe për rendin demokratik – theksoi Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se roli i gjykatave supreme është kyç edhe për stabilitetin e demokracisë.

“Prandaj, kur gjykatat supreme e kryejnë me sukses rolin e tyre për zbatimin e njejtë të ligjeve, atëherë rritet edhe besimi në gjyqësor. Vendimet e gjykatave kanë ndikim të fuqishëm jo vetëm në punën e gjykatave më të ulëta, por edhe në qëndrueshmërinë e demokracisë – theksoi presidentja.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Afrim Fidani, vlerësoi se konferenca e sotme rajonale përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për institucionin, por edhe për vendin.

Lidhur me besimin në gjyqësor, ai theksoi se ai nuk është në nivelin e dëshiruar, por se nevojitet punë e vazhdueshme për ta rivendosur atë.

“Sinqerisht, përkatësisht realisht, objektivisht dhe autokritikisht, besimi i qytetarëve në gjyqësor nuk është në nivelin e dëshiruar. Por ne duhet të punojmë vazhdimisht në këtë drejtim – përmes procedurave efikase, zbatimit konsistent të ligjeve dhe veprimeve të shpejta, me qëllim përmirësimin dhe rivendosjen e besimit. Besimi nuk ndërtohet brenda natës, ai ndërtohet gjatë një periudhe të gjatë kohore, por mund të humbasë shpejt – theksoi Fidani.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, theksoi se sfida është të sigurohet një ekuilibër midis pavarësisë dhe përgjegjësisë.

“Në gjyqësor nuk ka sisteme të përsosura, nuk ekzistojnë të tilla, por ka praktika të mira, mësime të nxjerra që mund të na bëjnë më të mirë. Detyra jonë është të krijojmë kushte në të cilat gjyqtarët mund të vendosin lirisht, por në të njëjtën kohë me një ndjenjë të lartë përgjegjësie ndaj qytetarëve dhe interesit publik – tha Kambovski.

Ai shtoi se pavarësia e gjyqësorit është një e drejtë thelbësore e qytetarëve.

Pjesëmarrësit ndërkombëtarë theksuan gjithashtu rëndësinë e takimeve të tilla. Gjykatësi Federal i SHBA-së, Dejvid Kempbell, theksoi se konferenca mundëson shkëmbim të përvojave për përballje me sfidat e përbashkëta.

“Kjo konferencë ekziston tashmë 16 vite. Qëllimi i saj është që gjyqtarët të mblidhen, të shkëmbejnë përvoja, të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të bëhen gjyqtarë më të mirë. Ka shumë gjëra që mund të mësojmë nga përvojat e të tjerëve. Përballemi me shumë sfida të ngjashme në mbarë botën – tha Kempbell.

Drejtori i Institutit CEELI, Robert Strang, theksoi nevojën për një qasje të re në komunikimin e gjyqtarëve me publikun.

“Mendoj se një nga çështjet kryesore, e cila lidhet edhe me gazetarët, është mënyra se si komunikojnë gjyqtarët. Sot duket krejtësisht joreale dhe e vjetëruar që gjyqtarët të flasin vetëm përmes vendimeve të tyre me shkrim. Pyetja tani është se si komunikojnë ata me publikun dhe shpjegojnë pse drejtësia është e rëndësishme”, tha Strang.

Ai paralajmëroi se mbështetja publike është thelbësore për mbijetesën e institucioneve.

“Pa mbështetjen e publikut, me kalimin e kohës, pavarësia e gjyqësorit dhe institucionet demokratike vërtet dëmtohen – theksoi Strang.

Gzhegozh Borkovski nga projekti i BE-së për sundimin e ligjit, shkurt tha: “Ju flisni në emër të gjyqësorit, prandaj pozicioni juaj është unik dhe duhet të mbrohet”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit