Elmazi: BDI eliminoi kompani evropiane për të favorizuar kompani serbe!

Advertisement

Kryetari i komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, në një konferencë për media ka kërkuar nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hapë menjëherë lëndë dhe të verifikojë informacionet e publikuara në opinion lidhur me punën e ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, raporton Zyrtare.

Elmazi tha se kanë kaluar tre ditë që nga publikimi i informacioneve, sipas të cilave Rustemi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj një kompanie të madhe evropiane për prodhimin e gardheve mbrojtëse që të mos marrë pjesë në tenderë në Maqedoninë e Veriut, duke i hapur rrugë një kompanie nga Serbia.

Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një tender të zakonshëm, por për dyshime serioze për eliminim të konkurrencës, favorizim të kompanive të caktuara dhe menaxhim të shumave milionëshe të parave publike.

“Edhe më e rëndë është se bëhet fjalë për gardhe mbrojtëse, të cilat lidhen drejtpërdrejt me sigurinë në rrugë dhe me jetën e qytetarëve. Nëse siguria e qytetarëve është vënë në pazar që tenderi t’i shkojë një kompanie serbe, atëherë institucionet duhet të reagojnë menjëherë”, deklaroi Elmazi.

Ai ngriti pyetje edhe për mosveprimin e deritanishëm të Prokurorisë, duke kërkuar nga prokurori Islam Abazi që të ndërmarrë hapa konkretë për zbardhjen e rastit.

Nga VLEN theksuan se qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse paratë publike janë shpenzuar sipas ligjit dhe pse, sipas pretendimeve të publikuara, është favorizuar një kompani serbe.

Në fund, Elmazi akuzoi BDI-në për, siç tha ai, “patriotizëm të rremë”, duke pretenduar se gjatë kohës sa ishte në pushtet ka bashkëpunuar me kompani serbe për interesa personale, ndërsa kërkoi që e gjithë çështja të mos mbyllet me heshtje dhe Prokuroria të informojë opinionin për veprimet që do të ndërmarrë./ZYRTARE.net/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit